Lajmet
Akademi

Shkëndija Haraçinë dhe Albarsa bashkojnë forcat për zhvillimin e talenteve të rinj

Akademia e FC Shkëndija Haraçinë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Shkollën e Futbollit Albarsa për zhvillimin e futbollistëve të rinj.

Akademia e FC Shkëndija Haraçinë ka hedhur një hap të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të futbollit të të rinjve, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Shkollën e Futbollit Albarsa. Ky partneritet synon krijimin e një sistemi të organizuar për identifikimin, edukimin dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj, duke u ofruar atyre një rrugë të qartë drejt niveleve më të larta të futbollit dhe ekipit të parë të Shkëndijës. Përmes këtij bashkëpunimi, të dyja palët do të punojnë ngushtë në koordinimin e programeve stërvitore, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin sportiv dhe personal të futbollistëve të rinj. Në Shkëndija Haraçinë besojmë se suksesi i së ardhmes ndërtohet përmes punës me gjeneratat e reja. Prandaj, investimi në akademi dhe në talentet e rinj mbetet një nga prioritetet kryesore të klubit. Ky bashkëpunim përfaqëson jo vetëm një marrëveshje sportive, por edhe një vizion të përbashkët për forcimin e futbollit shqiptar dhe krijimin e brezave të rinj që nesër do të mbrojnë me krenari ngjyrat kuqezi. E ardhmja fillon sot.