Lajmet
Klub

Shkëndija 77 mirëpret iniciativat e reja të Federatës për zhvillimin e futbollit vendor

Me ftesë të Kryetarit të Federatës së Futbollit, Masar Omeragiq, përfaqësuesit e klubeve të Ligës së Parë morën pjesë në takimin e organizuar nga Federata, ku u diskutua për ecurinë e deritanishme të kampionatit, si dhe për ide dhe iniciativa të reja që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe ngritjen e cilësisë së futbollit vendor. Shkëndija 77 e mirëpret vendimin e Federatës që secili klub i Ligës së Parë të ketë përfaqësuesin e tij në Këshillin Drejtues të Federatës. Vlerësojmë se ky është një hap i rëndësishëm, përmes të cilit klubet do të kenë mundësi të marrin pjesë drejtpërdrejt në proceset vendimmarrëse dhe të kontribuojnë në zhvillimin e futbollit në vend. Njëkohësisht, Shkëndija 77 shpreh publikisht mirënjohjen për nivelin e referimit dhe organizimin e ndeshjeve gjatë këtij sezoni. Vendosja dhe zbatimi i rregullave të reja kanë ndikuar që futbolli vendor të bëhet më i shpejtë, më atraktiv dhe më konkurrues, ndërsa ajo që na gëzon veçanërisht është rikthimi i publikut në tribuna. Shpresojmë që kampionati të vazhdojë në frymën dhe nivelin me të cilin ka nisur, me korrektësi, konkurrencë të shëndoshë dhe respekt mes të gjithë pjesëmarrësve. Në fund, le të triumfojë më i miri! Shkëndija 77 Haraçinë