Lajmet
Klub

Le të jetë sezoni i bashkimit dhe i ngritjes së kulturës sportive

Liga e Parë e Futbollit nis zyrtarisht këtë fundjavë. Le të jetë ky sezoni kur futbolli na bashkon, e jo na ndan. Sezoni kur rivaliteti mbetet vetëm brenda vijave të fushës, ndërsa respekti mbizotëron në tribuna dhe jashtë tyre. Le të shkojmë në stadium për t’u gëzuar golave të Ilirit, Aleksandrit, Dardanit, Jovanit dhe çdo futbollisti që jep maksimumin për fanellën e tij. Le të jetë një sezon ku, pas vërshëllimës së fundit, humbësi ia zgjat dorën fituesit, si në fushë, ashtu edhe në tribuna. Sado të vjetra të jenë stadiumet tona, ato nuk duhet të mbeten pa shpirt. E shpirti i futbollit janë tifozët e vërtetë, ata që këndojnë për ekipin e tyre dhe e respektojnë kundërshtarin. Le të shkojmë në stadium për ta mbështetur klubin e zemrës, jo për ta fyer apo poshtëruar kundërshtarin. Sado të mëdha të jenë vështirësitë financiare të klubeve, le të dëshmojmë se në fushë vendos topi, përkushtimi dhe zemra, e jo paratë. Urojmë që ky sezon të sjellë futboll cilësor, tribuna plot, fair-play dhe sa më pak incidente. Shkëndija 77 u uron të gjitha klubeve, futbollistëve, trajnerëve, arbitrave dhe tifozëve shumë fat, shëndet dhe një sezon të suksesshëm.