REAGIM PUBLIK DREJTUAR FEDERATËS SË FUTBOLLIT TË MAQEDONISË

KF Shkëndija e Haraçinës kërkon nga Federata e Futbollit të Maqedonisë të hetojë sjelljen e gjyqtarit Vllatko Ilioski gjatë ndeshjes kundër Struga Trim&Lum. Në minutën e 88-të, sipas deklaratës së kapitenit tonë, Besir Demiri, gjyqtari Ilioski i është drejtuar atij me fjalët „Мајмун неписмен“ (Majmun analfabet). Konsiderojmë se një gjuhë e tillë është e papranueshme për një gjyqtar futbolli dhe ngre dyshime serioze edhe për fyerje me konotacion racist, veçanërisht duke pasur parasysh se në fushë ishin edhe dy futbollistë me ngjyrë të ekipit kundërshtar. Pikërisht ky incident shkaktoi tensione edhe pas përfundimit të ndeshjes, të cilat mund të ishin shmangur nëse gjyqtari do të kishte ruajtur profesionalizmin dhe respektin ndaj futbollistëve. Kapiteni ynë ka dorëzuar deklaratë zyrtare te delegati i ndeshjes, duke theksuar se ekzistojnë edhe dëshmitarë të incidentit. Kërkojmë nga FFM që të publikojë audio-incizimin e minutës së 88-të, të hetojë rastin dhe të ndërmarrë masa përkatëse nëse konfirmohen këto pretendime. Gjyqtarët janë aty për të ndarë drejtësinë në fushë, jo për të fyer dhe provokuar futbollistët. KF SHKËNDIJA 77 – HARAÇINË
